Parku Kombëtar i Valbonës – Një fundjavë në alpet shqiptare

Parku Kombëtar i Valbonës është një nga destinacionet më mahnitëse të Shqipërisë, i njohur për peizazhet spektakolare, mikpritjen tradicionale dhe shtigjet e ecjes malore. Ky udhëtim dy-ditor na lejoi të zbulojmë këtë perlë të Alpeve Shqiptare, duke na dhuruar një përvojë të paharrueshme mes natyrës së paprekur.

Si të shkoni në Parkun Kombëtar të Valbonës

Për të eksploruar Parkun Kombëtar të Valbonës, mund të zgjidhni një nga këto tre rrugë kryesore:

  • Nga Kosova: Kjo është rruga më e shkurtër dhe e shtruar, duke e bërë udhëtimin më të rehatshëm.
  • Përmes liqenit të Komanit: Një opsion fantastik që përfshin një udhëtim me anije në liqenin e Komanit, duke mbërritur në Fierzë. Këshillohet të prenotoni biletat paraprakisht për këtë udhëtim. Për më shumë informacion mbi oraret dhe çmimet, vizitoni këtë link: Komani Lake Ferry. Vlen të përmendet se rruga deri në Koman nuk është tërësisht e shtruar dhe disa segmente kanë gropa.
  • Nga Kukësi përmes Hasit dhe Bajram Currit: Rrugë me kthesa dhe më sfiduese, por një opsion i mirë për ata që kërkojnë një eksperiencë ndryshe.

Një mikpritje e ngrohtë në Parkun Kombëtar të Valbonës

Sapo arritëm në Valbonë, u akomoduam tek @neokullahotel, një nga bujtinat më të njohura të zonës. Mikpritja tradicionale dhe atmosfera e ngrohtë na bënë të ndiheshim menjëherë si në shtëpi.

Veçoritë e Akomodimit:

  • Dhomat komode dhe tradicionale
  • Mëngjesi i bollshëm me produkte organike
  • Pamje të mrekullueshme të Alpeve Shqiptare

Hiking drejt fshatit Kukaj dhe Qafës së Rosit

Një nga aktivitetet më të bukura që mund të përjetoni në Parkun Kombëtar të Valbonës është ecja malore drejt fshatit Kukaj dhe Qafës së Rosit. Ndërsa ngjiteshim, pamjet panoramike të luginës së Valbonës shpaloseshin ngadalë përpara nesh, një peizazh mbresëlënës me male të mbuluara nga bora që shtriheshin në pafundësi. Ajri i pastër malor dhe qetësia përreth e bënin çdo hap një kënaqësi të veçantë.

Ecja drejt fshatit Kukaj – Pas rreth një ore ecjeje, arritëm në një nga fshatrat më të izoluar të Valbonës, ku natyra dhe qetësia e bënin këtë vend të dukej si jashtë realitetit. Ky vend i fshehur brenda madhështisë së Alpeve na dha ndjesinë sikur po udhëtonim në kohë. Heshtja dhe paqja e fshatit krijonin një atmosferë unike dhe të paharrueshme.

Powered by Wikiloc

Sfida drejt Qafës së Rosit – Me rritjen e lartësisë, terreni u bë më i vështirë për shkak të dëborës dhe akullit. Pa pajisjet e duhura dimërore, vendosëm të ktheheshim, duke premtuar një rikthim më të përgatitur.

Përmbyllja e Kësaj Fundjave 

Pas një dite plot aventura në Parkun Kombëtar të Valbonës, nisëm udhëtimin e kthimit drejt Tiranës. Për ta përmbyllur fundjavën, ndaluam në Prizren për një darkë tradicionale para kthimit në shtëpi.

Pavarësisht nëse jeni aventurier apo thjesht kërkoni një fundjavë në natyrë, Valbona është një destinacion që s’duhet humbur. Klikoni ketu për më shumë detaje.

.