Një moment historik për kulturën shqiptare: Marubi në UNESCO tashmë është realitet! Arkiva fotografike e Dinastisë Marubi është shpallur trashëgimi botërore, duke u përfshirë zyrtarisht në Memory of the World International Register të UNESCO-s.
Kjo njohje ndërkombëtare i jep vlerësimin më të lartë një prej pasurive më të rralla të Shqipërisë arkivës që përmban qindra mijëra negativë, dokumente dhe objekte fotografike të trashëguara nga tre breza mjeshtrash. Për herë të parë, Shkodra ka një pjesë të sajën të përjetësuar në Kujtesën Botërore.

Marubi në UNESCO – Një vlerësim për tre breza historie
Pietro Marubi – Themeluesi që solli fotografinë në Shqipëri
Pietro ishte një italian që erdhi në Shkodër në mesin e shekullit XIX dhe themeloi studion e parë fotografike në Shqipëri në vitin 1856, të quajtur Dritëshkronja Marubi. Ai solli teknikat më të përparuara të kohës dhe krijoi një dokumentim të paçmuar të jetës shqiptare të periudhës së Rilindjes.
Me aparatin e tij ai përjetësoi figura historike, portrete burrash e grash nga të gjitha shtresat e shoqërisë, dhe ngjarje që formuan identitetin shqiptar. Vepra e tij është themeli që i dha jetë trashëgimisë Marubi, tashmë të njohur në mbarë botën.




Pjetër Marubi i kushtoi kohë e dedikim edhe eksplorimit të figurës së gruas shqiptare e cila i shfaqej herë katolike e herë myslimane, herë elegante e herë e vrazhdë, herë e ndrojtur e herë sfiduese. Nje foto e veçantë e arkivit është ajo e një vajze të re myslimane e cila pozon para Marubit e pambuluar me shami, çka ishte e paimagjinueshme për kohën.
Fotoja e vajzës vlerësohet mbi të tjera pasi vihet re se në arkivin e Pietro Marubit, portetet e grave myslimane janë të rralla apo të shkrepura kalimthi. Kjo gjë mund të jetë dhe rezultat i bindjeve të kohës së një pjese tjetër të shoqërisë që ishte më konservatore e nuk e përqafonte shpikjen e re.



Kel Marubi – Inovatori i përkushtuar i brezit të dytë
Pasardhësi i Pietros, Kel Kodheli, mori mbiemrin Marubi dhe e çoi studion në një tjetër nivel. Ai përvetësoi teknikat e vjetra por solli edhe risi: përdorimin e plakave të xhamit, përkujdesjen për detajet dhe ndriçimin, dhe ndjeshmërinë për subjektin.
Kel ishte jo vetëm mjeshtër i teknikës, por edhe kronikan i jetës së përditshme, duke fotografuar që nga portretet zyrtare deri tek momentet intime të qytetit dhe fshatit shqiptar. Vepra e tij është pjesë kyçe e arsyes pse Marubi në UNESCO është një realitet sot.




Fotografia më poshtë është titulluar nga studiuesit si ‘‘Dorëzimi i Armëve‘‘. Një kompozim fantastik! Renditur mes 500 fotove më të mira në botë tek ‘‘The Photography Book’’. 2000 (Phaidon)
Deri vonë ekspertet nuk ishin në dijeni te kuptimit pas kësaj fotografie. Studiuesi Qerim Vrioni shpjegon foton pas kërkimeve të thelluara të kryera në arkivë. Çelësi i zbërthimit të kësaj fotografie është viti 1922, kur ajo është realizuar. Në këtë vit, u miratua një ligj nga Mbreti Zog i cili detyronte popullsinë të dorëzonte armët.
Sipas Vrionit fotografia ‘‘Dorezimi i armeve‘‘, eshte konceptuale, çka do te thote se autori e kishte fare te qarte ate qe do te bente. Ajo eshte kompozuar si nje çast skene ne teater ku zhvillohet nje drame qe permbledh ne nje pamje te vetme tensionin e nje akti te tere.
Çdo personazh zë një pozicion të mirëmenduar, gjithçka duhet të jetë e përkryer e asgjë e tepërt. Marubi, si artist shumëplanesh, kujdeset që vepra e tij të përmbajë të gjitha elementet, ku dhe mënyra e qëndrinit dhe veprimit të secilit personazh përfaqëson jo thjesht një gjëndje të momentit, por një psikologji, një mentalitet. Çdokush prej personazheve ka një rol të caktuar në këtë foto dhe të gjithë bashkë i shërbëjnë një qëllimi.

Gegë Marubi – Artist modern dhe shpirt novator
Biri i Kelit, Gegë Marubi, i pari shqiptar që studioi fotografi në Paris, i dha një frymë të re studios. Ai eksperimentoi me kompozim artistik, ndriçim kreativ dhe thellësi psikologjike në subjektet që fotografonte.
Nga jetët e përditshme deri tek peizazhet shqiptare, Gegë Marubi krijoi një vizion modern të Shqipërisë në transformim. Në fund të aktivitetit të tij, ai ia dorëzoi arkivën shtetit shqiptar, duke siguruar që kjo trashëgimi të mbrohej për brezat që vijnë. Sot, ai është pjesë e trashëgimisë botërore falë përfshirjes së Marubit në UNESCO.




Muzeu Marubi – Porta drejt Kujtesës së Botës
Të gjitha këto pasuri tani ruhen në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër. Muzeu përmban mbi 500,000 negativë nga periudha 1850–1950 dhe ofron një përvojë bashkëkohore për vizitorët: ekspozita të kuruara, pajisje historike dhe arkiva të digjitalizuara që e bëjnë çdo vizitë një udhëtim në kohë.




Nëse je duke vizituar Shkodrën, mos e humb rastin të eksplorosh nga afër trashëgiminë që UNESCO e ka përfshirë në kujtesën botërore. Marubi në UNESCO nuk është thjesht një titull, por një ftesë për të njohur rrënjët, shpirtin dhe historinë e një kombi përmes objektivit të aparatit.