Kur mendoni për Tiranën, ju vijnë në mendje rrugët plot jetë, kafenetë me energji dhe ngjyrat e pazakonta të qytetit. Por ajo që shumë vizitorë, madje edhe vendas nuk e dinë, është se Tirana fsheh një skenë të gjallë dhe kreative artizanale. Në një qytet që ndryshon çdo ditë, aktivitetet handmade janë një mënyrë e bukur për të ndalur pak dhe për të krijuar diçka me duart tuaja, qoftë një enë qeramike, një mozaik ngjyrash apo një qiri aromatik. Këto përvoja nuk janë vetëm për artistët, janë për këdo nga ju që kërkon të përjetojë një anë më të butë, më personale dhe më të ndjeshme të kryeqytetit.
Në këtë artikull do të zbuloni disa nga vendet më të veçanta ku mund të përfshiheni në aktivitete artizanale në Tiranë. Nga punëtoritë e qeramikës dhe pikturës, te mozaikët dhe krijimi i qirinjve aromatikë, këto eksperienca janë të hapura për turistë, vendas, fëmijë, të rritur për këdo që dëshiron të bëjë diçka të bukur.

🎨 Ene’s Arts & Crafts – Qeramikë, bizhuteri dhe krijimtari me shpirt komuniteti
Ene’s Arts & Crafts është një studio komunitare në qendër të Tiranës që ofron një gamë të larmishme punëtorish artizanale nga krijimi i bizhuterive me rruaza deri te modelimi i qeramikës. Nën drejtimin e artistes Eneida, ambienti i studios është mikpritës, krijues dhe shpesh shoqërohet me muzikë të lehtë, çaj apo kafe, duke e kthyer çdo workshop në një përvojë relaksuese “art therapy”.
Workshop-et e qeramikës zhvillohen në fundjavë apo në mbrëmje, sipas një kalendari mujor. Pjesëmarrësit mësojnë teknikat bazë të formësimit të baltës me dorë dhe përdorimin e rrotës së poçarit. Po ashtu, organizohen edhe punëtori si “Be Your Own Jewelry Designer”, ku krijohen bizhuteri me rruaza, gurë natyralë dhe materiale dekorative.
📍 Vendndodhja: Rr. Maliq Muço, pranë ish-Cirkut, Qendër, Tiranë
🕒 Orari: Workshop-e të herëpashershme – njoftohen në rrjetet sociale
👨👩👧👦 Grupmosha: Të rritur, adoleshentë dhe fëmijë me prindër
📲 Regjistrimi: Me DM në Instagram @ene_arts_and_crafts ose WhatsApp: +355 69 544 6971
📝 Shënim: Studioja shpesh merr pjesë në projekte sociale dhe ofron kurse falas të mbështetura nga organizata ose ambasada. Ndiqni rrjetet e saj për informacione të përditësuara.



🎨 Ken’s Atelier – Qeramikë, skulpturë dhe pikturë për çdo moshë
Për ata që kërkojnë një eksperiencë më të thelluar dhe strukturuar në botën e arteve, Ken’s Atelier është një zgjedhje e shkëlqyer. Kjo studio multifunksionale në zonën e Don Boskos ofron kurse të rregullta në qeramikë, skulpturë dhe pikturë, të ndara sipas nivelit dhe grupmoshës.
Në programin e qeramikës, pjesëmarrësit mësojnë të krijojnë objekte funksionale dhe artistike nga balta, duke ndjekur një metodologji hap pas hapi. Klasa të veçanta ofrohen si për fëmijë, ashtu edhe për të rritur, me vëmendje individuale dhe një atmosferë që inkurajon eksperimentimin.
Në anën tjetër, klasat e pikturës dhe vizatimit janë ideale për zhvillimin e teknikave bazë dhe avancuara të artit pamor. Programi përfshin vizatim klasik, pikturë me tempera, akuarel dhe akrilik, shpesh i kombinuar me modelim në argjilë për një përvojë gjithëpërfshirëse.
📍 Vendndodhja: Rr. Eshref Frashëri, Don Bosko, Tiranë
🕒 Orari: 5 ditë në javë, me orare të ndryshme për fëmijë dhe të rritur (p.sh. pasdite dhe fundjavë)
👨👩👧👦 Grupmosha: Nga 5 vjeç e lart
📲 Regjistrimi: Përmes Instagramit të studios ose WhatsApp: +355 68 600 0686
Ken’s Atelier është ideal për ata që duan të ndjekin një pasion artistik në mënyrë më të vazhdueshme dhe të rriten në komunitet krijues.



🧱 “Mosaic Courses” me Saimir Stratin – Arti që lidh copa dhe histori
Për ata që kërkojnë një eksperiencë të pazakontë artistike në Tiranë, kursi i mozaikut i udhëhequr nga mjeshtri Saimir Strati është thjesht i paçmueshëm. Strati është një nga artistët më të njohur shqiptarë në botë dhe mbajtës i 11 rekordeve Guinness për mozaikë të krijuar me materiale të pazakonta.
Kursi ofron më shumë se teknika, ai ju jep mundësinë të përjetoni një formë arti mijëravjeçar në mënyrë bashkëkohore. Gjatë seancave, ju do të mësoni të krijoni mozaikë duke përdorur gurë, copa qeramike, xham e elementë të ricikluar. Është një aktivitet terapeutik, i përshtatshëm për të gjitha moshat, që zhvillon durimin dhe vëmendjen ndaj detajeve.
📍 Vendndodhja: Rr. Myslym Shyri, Tiranë
🕒 Orari: 2–3 herë në javë pasdite (grupet formohen sipas sezonit)
👨👩👧👦 Grupmosha: Nga 6 vjeç e lart
📲 Regjistrimi: Tel. +355 69 23 11 728 | Instagram: @mosaic_courses
Përveç teknikës, pjesëmarrësit marrin një ndjesi të veçantë lidhjeje me historinë dhe artin tradicional shqiptar, një mënyrë unike për të krijuar diçka që vërtet mbetet. Gjithashtu nëse jeni një grup shoqëror e doni të kaloni një pasdite ndryshe, eksperienca e krijimit të mozaikëve të shoqëruar me një gotë verë është eksperienca perfekte.
Ky aktivitet është veçanërisht i përshtatshëm për grupe të vogla, çifte apo edhe individë që kërkojnë një mënyrë të bukur për t’u shkëputur nga rutina.



Pure & Sunny Aromatherapy – Qirinj artizanalë dhe workshop-e aromaterapie
Nëse doni të kombinoni bukurinë e krijimit me aromën e relaksit, Pure & Sunny Aromatherapy është një zgjedhje e shkëlqyer në Tiranë. Kjo markë punon me qirinj artizanalë që përdorin vajra esencialë dhe përzierje aromaterapie, si dhe dekorime për shtëpi (homedecor). Për më shumë, organizojnë workshop-e krijimi qirinjsh në lokacione të ndryshme, siç ishte një event i mbajtur tek “Kubi Kuq” në Piramidë, ku pjesëmarrësit krijuan vetë qirinj me vajra natyralë dhe teknika dekorative.
Në këto seanca, ju mësoni procesin e përzgjidhjes së vajrave aromatikë, përzierjen e esencave, ngjyrat dhe dekorimin e qirinjve sipas stilit tuaj. Workshop-et shpesh njoftohen përmes llogarive të tyre në Instagram dhe janë të hapura për publikun.
📍 Vendndodhja: Lokacione të ndryshme në Tiranë – shpesh në ambiente kreative si “Kubi Kuq”, Piramida
🕒 Orari: Evente të herëpashershme, zakonisht në fundjavë apo në bashkëpunim me hapësira artistike
👨👩👧👦 Grupmosha: Adoleshentë dhe të rritur (për punën me vajra dhe dyll të nxehtë)
📲 Regjistrimi: Me DM në Instagram @pureandsunny.aromatherapy



🧊 “QELQ” – Studio moderne për artin e xhamit
Një nga risitë më të veçanta në skenën artizanale të Tiranës është studioja “QELQ” – Glass Hub Albania, e cila sjell një dimension krejt të ri në krijimtarinë handmade: artin e punimit të xhamit. Këtu, pjesëmarrësit mund të mësojnë teknika si piktura mbi xham, mozaikë dekorativë dhe “glass fusing” – procesi i shkrirjes së xhamit për të krijuar forma unike që shkëlqejnë nën dritë.
Përvoja është një kombinim i artit bashkëkohor me një material klasik si xhami dhe është ideale për ata që kërkojnë diçka të re, vizualisht magjepsëse dhe të personalizueshme.
📍 Vendndodhja: Rr. Dibrës, pranë ish-ekspozitës “Shqipëria Sot”
🕒 Orari: E hënë – e diel, 10:00–20:00
📲 Regjistrimi: Nëpërmjet Instagramit @qelq.al
Studio “QELQ” është vendi i duhur për të lënë krijimtarinë tuaj të reflektojë, në kuptimin më të drejtpërdrejtë të fjalës.



🏺 Tirana Pottery Studio – “Pottery & Wine” dhe “Junior Pottery Masters”
Nëse po kërkoni një mënyrë relaksuese dhe kreative për të kaluar mbrëmjen në Tiranë, Tirana Pottery Studio është vendi i duhur për ju. E fshehur në një apartament të ngrohtë pranë Parkut Rinia, kjo studio artizanale ofron një përvojë që kombinon artin e modelimit në baltë me një gotë verë ideal për çifte, grupe miqsh etj.
Programi i njohur “Pottery & Wine” organizohet çdo mbrëmje dhe është i përshtatshëm edhe për ata që nuk kanë prekur kurrë më parë baltën. Në një ambient intim dhe me një ndriçim të lehtë, do të mësoni bazat e poçerisë dhe do të krijoni enën tuaj, të cilën më pas mund ta ruani si kujtim të veçantë nga Tirana.
📍 Vendndodhja: Rr. Ibrahim Rugova, pranë kompleksit “Taiwan”
🕒 Orari: Çdo mbrëmje rreth orës 19:00 (2 orë)
📲 Regjistrimi: Me rezervim paraprak në rrjetet sociale të studios
📧 Email: tiranapotterystudio@gmail.com | ☎️ Tel: +355 69 793 0362
Për më të vegjlit, studioja ofron programin “Junior Pottery Masters”, një kurs i strukturuar për fëmijë dhe adoleshentë 10–16 vjeç. Këtu, të rinjtë mësojnë teknikat themelore të poçerisë në një ambient edukativ dhe argëtues. Kursi zhvillohet një herë në javë dhe është ideal për zhvillimin e kreativitetit tek fëmijët.
📲 Regjistrimi bëhet me kontakt direkt ose DM në Instagramin e studios



🎒 Si të përgatiteni për një eksperiencë artizanale në Tiranë
Pjesëmarrja në një aktivitet handmade në Tiranë nuk kërkon përvojë, vetëm dëshirë për të provuar diçka të re. Megjithatë, ja disa këshilla që mund t’ju ndihmojnë:
- Rezervoni paraprakisht: Shumica e workshope-ve kanë vende të kufizuara dhe organizohen me kalendar të paracaktuar. Një mesazh në Instagram apo WhatsApp shpesh mjafton për të siguruar vendin tuaj.
- Vishuni rehat: Mos kini frikë të ndotni pak duart, sidomos në kurset e qeramikës, mozaikut apo pikturës. Rrobat e përditshme janë të mjaftueshme, por nëse keni ndonjë përparëse, merreni me vete.
- Shkoni me mendjen hapur: Këto aktivitete nuk janë vetëm për të krijuar “diçka perfekte”, por për të shijuar procesin, për të takuar njerëz të rinj dhe për të krijuar kujtime të bukura.
Dhe mbi të gjitha, ndani këtë artikull me miqtë tuaj! Ndoshta pikërisht ju do t’i frymëzoni për të kaluar një pasdite ndryshe në qytet, duke modeluar baltë, krijuar qirinj me aromë livando apo duke vizatuar tablonë e parë të jetës.
Nëse jeni në grup dhe kërkoni ide të tjera për të kaluar një mbrëmje ndryshe në qytet, shikoni edhe këtë artikull: Nata në Tiranë për grupe.