Arratisje fundjave në Shqipëri këtë shtator (2025)

Shtatori është sezoni i artë për një arratisje fundjave në Shqipëri. Temperaturat janë ende të ngrohta, turmat e verës janë zhdukur, natyra fillon të vishet me ngjyrat e para të vjeshtës dhe çmimet bëhen më të favorshme. Është koha ideale për t’u shkëputur, qoftë për një ditë në mal, një fundjavë buzë liqenit, apo një shëtitje në qytete historike.

Ne kemi përzgjedhur 7 arratisje unike fundjave, që përfshijnë gjithçka: nga plazhe me ujëra të kristaltë, te fshatra malorë, nga pazaret me gurë, te banjat natyrore. Kjo listë është për ju që kërkoni frymëzim, qetësi, aventurë apo thjesht një arsye për të dalë nga rutina.

1. Thethi – Aventurë alpine në zemër të Alpeve Shqiptare

Nëse doni të largoheni nga zhurma dhe rutina, Thethi është ai vend që ju fton qetësinë që ju nevojitet. I fshehur mes majave të thepisura të Alpeve Shqiptare (Bjeshkët e Nemuna), ky fshat ofron peizazhe të pabesueshme, ajër të pastër, ujëra kristal dhe mikpritje malësore, si të jetoni brenda një përralle që shpaloset ngadalë, në heshtje e madhështi. Në shtator, moti është perfekt për hiking: pa dëborë që pengon, pa turma që prishin magjinë.

Çfarë të bëni:

  • Ecni drejt Ujëvarës së Grunasit për një freski mahnitëse.
  • Zbuloni Syrin e Kaltër të Thethit, burimin karstik me ujë të ftohtë si akulli.
  • Vizitoni Kullën e Ngujimit dhe Kishën e vjetër të Thethit, histori, identitet dhe trashëgimi shqiptare në çdo gur.
  • Ndaloni te Qafa e Thorës për të shijuar një nga pamjet më dramatike të Ballkanit.
  • Bëni hiking deri te Liqeni i Qafë Pejës, lahuni në pishinat natyrore të lumit Shalë, bëni piknik mes gjelbërimit alpin dhe thithni ajrin që ndjen si ilaç për shpirtin.

Ku të qëndroni: Këto janë disa ide se ku mund të qëndroni në Theth: Top 5 akomodimet më të mira në Theth.

Ushqimi: Shijoni mishin e qengjit në saç, djathin e freskët të deleve dhe një gotë raki malsie. Çdo vakt shoqërohet me një copë rrëfim nga banorët që do ua bëjnë darkën të paharrueshme.

Si të shkoni: Rreth 2.5–3 orë nga Shkodra (falë rrugës së asfaltuar), ose nga Tirana përmes Bogës dhe Qafës së Thorës. Nisuni herët në mëngjes dhe mos harroni të ndaloni për foto nëpër kthesat me pamje të paharrueshme.

2. Berati – Qytetii një mbi një dritareve

Një udhëtim pas në kohë!! Berati, qytet 2400-vjeçar i mbrojtur nga UNESCO, ku shtëpitë me dritare të shumta të bardha ngjiten mbi kodër, të bëjnë të mendosh se jeni në një tabllo romantike. Në shtator, qyteti është i freskët, i qetë, plot nostalgji dhe ajër dashamirës.

Çfarë të bëni:

  • Shëtisni në Kalanë e shekullit XIII dhe vizitoni Muzeun e ikonave të Onufrit.
  • Soditni pamjen mbresëlënëse mbi lagjet Mangalem e Goricë.
  • Eksploroni pazarin e vjetër për artizanatet, xhaminë e Plumbit dhe kishën e Shën Triadhës.

Aktivitetet: Një shëtitje e këndshme buzë lumit Osum, ndoshta edhe rafting në kanionin e Skraparit për ata që kërkojnë pak adrenalinë. Pse jo, një degustim vere në Kantinën Çobo?

Ku të qëndroni: Këto janë disa ide se ku mund të qëndroni në Berat: Top 5 akomodimet më të mira në Berat.

Ushqimi: Provoni tavën me kos,një pjatë tradicionale që të lë shijen e ngrohtësisë dhe dashurisë në çdo kafshatë. Shoqërojeni me një gotë verë lokale për ta përmbyllur siç duhet. Për një përvojë elegante drekojeni te Restorant Mangalemi, ndërsa për një atmosferë më të përzemërt e shtëpiake, ndaloni te Homemade Food Lili, ku gatimi i nënës është gjithmonë në qendër të vëmendjes.

Për më shumë ide se ku mund tëhani, lexoni: Top 5 Restorante tradicionale në Berat

Si të shkoni: Rreth 2 orë nga Tirana (120 km). Autobusë të rregullt nga Terminali i Jugut. Kujdes me këpucët, kalldrëmet e lagjet historike kanë aromë të veçantë, por edhe pak “sfidë”.

3. Gjirokastra – Qyteti i gurit dhe historisë

E listuar si Trashëgimi Botërore nga UNESCO, Gjirokastra është një qytet që flet me gurë, nga çatitë vezulluese deri te rrugicat e pjerrëta me kalldrëm. Në shtator, qyteti merr frymë lirshëm: ajri është i freskët, dritat të buta dhe ritmi i jetës ngadalësohet për t’ju ftuar ta shijoni si mysafir i veçantë, larg zhurmës së sezonit të lartë.

Çfarë të bëni:

  • Vizitoni Kalanë madhështore të Gjirokastrës dhe ndaloni në Muzeun e Armëve për të kuptuar historinë ushtarake të zonës.
  • Shëtisni nëpër pazarin karakteristik dhe eksploroni shtëpitë-muze si Skënduli, Zekate, si dhe bunkerin anti-atomik që fsheh kujtime nga një epokë tjetër.

Aktivitetet: Ecni ngadalë dhe bëhuni pjesë e ritmit vendas, pini një kafe turke me kardamom në një kafene tradicionale, mësoni të gatuani byrek me një familje lokale dhe, me pak fat, kapni një koncert të improvizuar me polifoni që mbush ajrin e mbrëmjes me tinguj të lashtë.

Ku të qëndroni: Për ide se ku të qëndroni gjatë vizitës në këtë qytet historik, hidhni një sy tek akomodimet më të mira në Gjirokastër për vitin 2025.

Ushqimi: Provoni qifqi autentik, byrek me oriz e erëza që t’i sjell kujtime fëmijëriedhe për fund nje gliko të ngrohtë me edhe pak arë. Për të zbuluar shijet autentike të qytetit, këtu janë 5 restorantet tradicionale më të mira në Gjirokastër për vitin 2025.

Si të shkoni: Rreth 3.5–4 orë nga Tirana me makinë. Autobusë direkt nga Tirana dhe Saranda.

4. Saranda dhe Ksamili – Plazhe mesdhetare, histori antike dhe relaks

Nëse ju pëlqen kombinimi i relaksit bregdetar me kulturën e thellë historike, Saranda dhe Ksamil janë zgjedhje ideale për një fundjavë të paharrueshme. Në shtator, ky vend jugor i Shqipërisë shndërrohet në parajsë, deti mbetet i ngrohtë, rrezet e diellit janë të buta, dhe mungesa e turmave e bën çdo shëtitje apo pushim në plazh shumë më të këndshëm. Saranda ofron jetë urbane buzë detit, ndërsa Ksamili ju fton në plazhe me rërë të bardhë dhe ujëra të kthjellët që të kujtojnë Karaibet.

Çfarë të shihni & bëni:

  • Zhyteni në ujin kristal të Ksamilit, në plazhe si “Pasqyrat” apo “Tre Ishujt”.
  • Eksploroni Parkun Arkeologjik të Butrintit, një qytet antik me rrënjë greko-romake i vendosur mes natyrës.
  • Ngjituni në Kalanë e Lëkurësit mbi Sarandë për pamje të mrekullueshme në perëndim të diellit.
  • Vizitoni Manastirin e 40 Shenjtorëve për një prekje mistike mbi kodrat.

Aktivitete: Përveç plazhit, provoni zhytjen ose snorkelling-un për të zbuluar botën nënujore të Ksamilit. Syri i Kaltër (rreth 35 minuta larg) është një aventurë e ftohtë dhe natyrore, perfekte për ata që kërkojnë freski dhe foto unike. Në mbrëmje, shëtisni përgjatë pedonales së Sarandës ose uleni për një koktej në ndonjë roof-bar me pamje nga gjiri.

Ku të qëndroni: Këto janë disa ide se ku mund të qëndroni gjatë vizitës suaj në Sarandë: Top 5 hotelet më të mira në Sarandë për vitin 2025.

Ushqimi: Deti ofron thesare! Për ide se ku të shijoni një darkë me pamje në Sarandë, eksploroni restorantet më të mira me pamje panoramike në qytet. Nëse ndodheni në Ksamil dhe kërkoni shije të freskëta deti, këtu janë 5 restorantet më të mira ku mund të hani në 2025.

Si të shkoni: Nga Tirana, udhëtimi zgjat rreth 4.5–5 orë me makinë. Ka edhe autobusë ditorë që lidhin kryeqytetin me Sarandën. Një alternativë tjetër është të fluturoni për në Korfuz dhe të merrni tragetin 30-minutësh për në Sarandë. Për të lëvizur drejt Ksamilit apo Butrintit, përdorni furgonët lokalë ose merrni një taksi. Këshillë: vizitoni Butrintin herët në mëngjes për të shmangur vapën dhe për të shijuar më shumë qetësinë.

5. Gramshi – Kanione, liqene dhe natyrë pa zhur

Gramshi është një nga ata destinacione që shumica nuk e kanë eksploruar ende, një vend i qetë mes maleve, ujëvarave dhe liqeneve që ofron shumë për një fundjavë shtatori me natyrë, ajër të pastër dhe pak njerëz përreth. Ndodhet vetëm 1.5 orë nga Tirana, por duket sikur je në një botë tjetër. Moti i butë i shtatorit dhe biodiversiteti i pasur i kësaj zone e bëjnë ideal për shëtitje, relaksim dhe eksplorim natyror.

Çfarë të shihni dhe të bëni:

  • Kanioni i Holtës: një shëtitje brenda një kanioni spektakolar me mure gëlqerore 100–150 m të larta. Ujë deri në gju apo në mes, vaska natyrore dhe shpella për eksplorim. Ideal për hiking të lehtë dhe foto magjepsëse.
  • Ujëvara e Sotirës: rreth 100 m e lartë, me ujë që buron nga shpati i Tomorrit. Një ecje e lehtë 1 orë nga fshati me të njëjtin emër, e përshtatshme për të gjithë.
  • Liqeni i Dushkut (Liqeni i Zambakëve): Një liqen akullnajor në lartësi rreth 1105 m mbi nivelin e detit, pranë fshatit Lenie dhe Kodovjat. Me përmasa rreth 800×400 m, i rrethuar nga pyll pishash, i famshëm për zambakët e mëdhenj të ujit dhe biodiversitetin e tij unik.

Aktivitete të rekomanduara:

  • Shëtitje rreth liqenit: rreth një orë ecje rreth liqenit me pamje të qeta dhe të bukura për fotografi e pushim pranë ujit.
  • Vëzhgim natyre: zambakët e ujit, gjallesa të vogla ujore, zogj dhe bima të rralla për natyralistët dhe kërkuesit e qetësisë.
  • Hiking: Itinerari Gramsh → Kodovjat → Liqeni i Dushkut është lehtësisht i aksesueshëm për ecje ose me automjet. Mund të bëhet edhe si xhiro ditore për eksplorues më aventurierë.

BioFarm Gramsh – përvoja që lidh natyrën me traditën

  • Hiking & shëtitje drejt liqenit të Dushkut, kanionit të Holtës, ujëvarës së Sotirës dhe Grabovës.
  • Off-road 4×4 me guida në terrene malore.
  • Hipizëm – udhëtime me kalë për individë ose grupe.
  • Camping në natyrë të qetë dhe të paprekur.
  • Guidë lokale drejt atraksioneve me tregime tradicionale.
  • Farm-to-table – përfshirje në gatime dhe jetën e fermës.

Ku të qëndroni: Në Gramsh mund të gjeni një gamë të gjerë opsionesh akomodimi, nga hotele të thjeshta në qendër të qytetit, te bujtina familjare dhe ferma agroturistike që ofrojnë përvoja më autentike dhe të lidhura me natyrën. Zgjidhni sipas stilit dhe ritmit tuaj të udhëtimit.

Ushqimi: Kuzhina lokale është e thjeshtë, por shumë e shijshme: mish fshati, gjellë tradicionale, djathëra të freskët dhe gliko shtëpie. Për drekë pikniku pas ecjes, pyet akomodimin për pako me ushqim vendas.

Si të shkoni: Gramshi ndodhet vetëm 1.5–2 orë larg Tiranës me makinë, dhe rruga është e mirë. Ka autobusë të rregullt çdo ditë që e lidhin me kryeqytetin. Për segmentin Gramsh–Sotirë, rekomandohet të përdorni makinë 4×4 ose të ecni në këmbë nga fshati. Në kanionin e Holtës, shkoni me kujdes, shmangni ditët me reshje, vishni këpucë për ujë dhe merrni me vete rroba të thata. Për të arritur në liqenin e Dushkut, itinerari off-road Gramsh–Kodovjat–Lenie është i përkryer për ata që kërkojnë më shumë aventurë.

6. Pogradeci – Qetësi, verë e bardhë dhe fshatra piktoreskë

Pogradeci është një nga ato vende ku koha duket se ecën më ngadalë, në mënyrën më të bukur të mundshme. I shtrirë buzë Liqenit të Ohrit, me një panoramë qetësuese, gjelbërim, ajër të freskët dhe këngët e serenatave korçare që e përshkojnë ajrin, ky qytet është ideal për një fundjavë relaksi në shtator. Liqeni është ende i ngrohtë për not, plazhet janë të qeta dhe fshatrat përreth, si Tushemisht dhe Lin , ofrojnë një përvojë të pasur kulturore e natyrore.

Çfarë të shihni dhe bëni:

  • Liqeni i Ohrit – Një nga liqenet më të vjetër dhe më të pastër në botë. Pedonalja buzë tij është ideale për ecje, biçikletë apo thjesht pushim.
  • Parku i Drilonit – Shijoni qetësinë mes kanaleve me ujë, shelgjeve, rosave dhe kafeneve mbi ujë, një vend perfekt për një kafe të qetë ose piknik.
  • Tushemisht – Vizitoni këtë fshat me arkitekturë karakteristike, i njohur për filmin “Zonja nga Qyteti” dhe restorantet që shërbejnë troftë të freskët.
  • Lin – Ecni nëpër rrugicat me kalldrëm të këtij fshati piktoresk në gadishull, zbuloni mozaikë paleokristianë dhe shijoni pamje të mrekullueshme.
  • Kalaja e Pogradecit – Ngjituni për të përjetuar pamje panoramike mbi qytet dhe liqen.

Aktivitete:

  • Shëtitje me biçikletë përgjatë bregut të liqenit.
  • Not ose çlodhje në plazhet e qeta të qytetit.
  • Degustim vere në kantinat lokale, veçanërisht verë e bardhë nga Tushemishti.
  • Ekskursion opsional në Voskopoje ose Korçë nëse ke edhe të hënën të lirë.

Ku të qëndroni: Për ide mbi akomodimin tuaj, këtu janë 5 hotelet më të mira në Pogradec ku mund të qëndroni në 2025.

Ushqimi: Provo koranin e fërguar, një peshk endemik që rritet vetëm në Liqenin e Ohrit. Nëse ke oreks për më shumë, provo gjelin e detit me përshesh, këllëfthin (ëmbëlsirë me petë e arra) dhe glikotë artizanale të zonës. Këto janë restorantet më të mira në Pogradec për të shijuar kuzhinën lokale buzë liqenit.

Si të shkoni: Nga Tirana, udhëtimi zgjat rreth 2.5–3 orë me makinë përmes Elbasanit, Librazhdit dhe Qafë Thanës. Ka linja të rregullta autobusi nga Tirana dhe Korça. Brenda qytetit mund të lëvizni lehtësisht me biçikletë ose në këmbë. Për të vizituar Tushemishtin apo Linin, përdorni taksi lokale ose furgonë që nisen nga qendra e qytetit.

7. Përmeti në shtator, qetësi dhe natyrë e paprekur

I njohur si “Qyteti i Trëndafilave”, Përmeti është një nga vendet më autentike për një arratisje shtatori. I rrethuar nga male, pyje dhe lumi i egër Vjosa, qyteti është perfekt për ata që kërkojnë qetësi, natyrë, banja termale dhe një përvojë të thellë lokale. Ajri i pastër, ritmi i ngadaltë dhe mikpritja tradicionale e përmetarëve e bëjnë këtë qytet një alternativë brilante ndaj destinacioneve më të zhurmshëm.

Çfarë të shihni & bëni:

  • Banjat Termale të Bënjës – burime natyrore me ujëra të ngrohta minerale, të vendosura mes natyrës së virgjër dhe Kanionit të Lengaricës.
  • Kanioni i Lengaricës – i përshtatshëm për ecje dhe eksplorim mes formacioneve unike shkëmbore.
  • Guri i Qytetit & Kisha e Leusës – ofrojnë pamje panoramike dhe një përvojë autentike kulturore.
  • Kalaja e Këlcyrës dhe fshatrat përreth – më pak të njohura, por me bukuri natyrore dhe histori që vlen të zbulohen.

Aktivitete:

  • Zhytje në banjat termale të Bënjës.
  • Rafting në lumin Vjosa ose peshkim në brigjet e tij.
  • Hiking në Parkun Kombëtar të Bredhit të Hotovës, që në shtator është plot jetë, freski dhe ngjyra.
  • Gatim me vendas ose dëgjim i polifonisë përmetare mbrëmjeve në shesh.

Ku të qëndroni: Këto janë akomodimet më të mira në Përmet për vitin 2025, ideale për një qëndrim të qetë pranë natyrës dhe traditës.

Ushqimi: Përmeti është sinonim i glikosë – mos ik pa provuar gliko arra, trëndafili, qershie apo shalqi. Pjatat tradicionale përfshijnë tavë me rreshkë, pite, dhe gjellë me fasule e erëza malore. Këto janë 5 restorantet tradicionale më të mira në Përmet perfekte për të shijuar gatime autentike me shije vendase.

Si të shkoni: Nga Tirana, udhëtimi zgjat rreth 4–4.5 orë me makinë, përmes Tepelenës ose nëpërmjet rrugës që kalon nga Berati. Rrugët janë në gjendje të mirë dhe ka furgonë ditorë që nisen nga Tirana, Gjirokastra apo Korça. Brenda qytetit mund të lëvizni lehtësisht në këmbë, ndërsa për të arritur në Banjat e Bënjës mund të përdorni taksi (rreth 15 minuta) ose biçikletë. Ka parking publik dhe një atmosferë të qetë për një vizitë të relaksuar.

Shqipëria e shtatorit është e juaja – zbulojeni tani!

Nga malet e egra të Thethit te liqenet e qetë të Dushkut, nga gurët historikë të Gjirokastrës te uji kristal i Ksamilit – Shqipëria ofron një shumëllojshmëri destinacionesh që, në shtator, janë më magjepsëse se kurrë. Ky është momenti kur vendi shfaqet më i vërtetë, më i qetë dhe më i bukur. Një fundjavë në këto vende nuk është thjesht një udhëtim, por një rigjenerim, frymëzim dhe lidhje me natyrën, kulturën dhe vetveten.

Pyetje të shpeshta

  • Cilat janë arratisjet më të mira fundjave në Shqipëri gjatë shtatorit?
    Në këtë artikull gjeni 7 sugjerime unike për fundjava, që përfshijnë plazhe të qeta, fshatra malorë, qytete historike dhe natyrë të paprekur, të gjitha të përzgjedhura për shtatorin.
  • A është shtatori muaji ideal për të vizituar Shqipërinë?
    Po. Temperaturat janë të buta, natyra fillon të ndryshojë ngjyrat, çmimet janë më të favorshme dhe destinacionet janë më të qeta pas sezonit të verës.
  • Ku mund të bëj hiking në Shqipëri në shtator?
    Shqipëria ofron shumë mundësi për hiking në shtator, si në Theth, kanioni i Holtës në Gramsh, kanioni i Lengaricës në Përmet apo zona malore si Qafë Peja dhe Liqeni i Dushkut.

👉 Nëse ky artikull ju dha një ide për arratisjen tuaj të radhës, mos e mbani për vete! Shpërndajeni me miqtë dhe familjen, planifikoni së bashku një fundjavë ndryshe këtë shtator. Shqipëria është këtu, më e bukur se kurrë, dhe pret të zbulohet nga ju!