Ndalesa jonë e parë për këtë udhëtim ishte në Kishën e Shën Eufemisë, e ndodhur në fshatin Kallmet të Lezhës. Portreti i Shën Eufemisë, vajzës 15-vjeçare që duroi shumë tortura në emër të fesë, është gdhendur në një shkëmb natyral brenda kishës. Nga shkëmbi në të cilin është gdhendur ky portret, rrjedh një burim i bollshëm dhe shihet si ujë pastrues dhe bekues nga besimtarët. Ky objekt kulti është kthyer në destinacion pelegrinazhi nga besimtarë të shumtë. Nga vendndodhja e saj mund të shikohet e gjithë fusha e Drinit të Lezhës, deri në Shkodër.



Vizitë në banesën e familjes Shurdha
E shpallur pasuri kulturore në vitin 1977 nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës, kjo shtëpi muze mbart dëshmi të shumë ngjarjeve politike e historike të vendit. Në oborr ndodhet një murale e cila shfaq prejardhjen dhe historinë e familjes Shurdha, që u shpërngul nga Ulqini. Biznesi i parë i familjes Shurdha ishte transporti i mallrave nga Mesdheu në Amerikë me anë të disa anijeve që ata kishin në zotërim. Një fotografi e vjetër tregon historinë e Alin, djaloshit afrikan të cilin Ismaili në vitin 1912, e mori dhe e rriti në shtëpinë e tij, duke e shpëtuar atë nga skllavëria. Një nga objektet me më shumë rëndësi që ka sjellë para 100 viteve nga udhëtimet e tij Ismail Shurdha, gjyshi i Ahmet Shurdha, ishte një gramafon të cilin Shkodra dhe shkodranët e panë për herë të parë. Ismail Shurdha lidhi kontratë me kompaninë diskografike “Columbia“ për të prodhuar disqe gramafoni në Shkodër dhe qytete të tjera të Shqipërisë.




Vendet më të mira për të ngrënë në Shkodër
Për të ngrënë zgjodhëm @hotel_tradita_shkodër si një nga vendet që e ka ruajtur më së miri identitetin shkodran. Njëkohësisht edhe gatimet janë tradicionale dhe plot shije.
Dita e dytë nis me mëngjesin tek @loredano_restaurant_hotel dhe vijon me këto ide për të konsumuar një drekë apo darkë të shijshme në Shkodër Restorantet më të mira në Shkodër (2025).
Çfarë të vizitoni në Shkodër – Atraksionet kryesore të qytetit
1. Teatri Migjeni
Një institucion kulturor në skenën e të cilit janë shfaqur prej dekadash shfaqje të ndryshme nga aktorë e regjisorë të njohur.
2. Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”
Një muze i veçantë i fotografisë në Shqipëri i cili përmban një koleksion të rrallë me rreth 500 mijë negativë, aparate fotografike, dokumente të ndryshme dhe portrete të fotografëve shqiptarë.
3. Xhamia e Plumbit
E ndërtuar në vitin 1773-1774 nga Mehmet Pashë Bushati, kjo xhami është një nga ndërtesat më të vjetra të Shkodrës dhe më e madhja në Shqipëri deri në gjysmën e parë të shekullit XX.




4. Muzeu Historik i Shkodrës
I vendosur në qendër të qytetit në një ndërtesë monumentale të shek. XIX, ky muze u ngrit mbi bazën e koleksioneve të vjetra të kuvendeve të Jezuitëve dhe Françeskanëve, si dhe nga koleksione të familjeve shkodrane, duke u shtuar më pas nëpërmjet dhurimeve, blerjeve e gërmimeve arkeologjike.
5. Galeria Oda
Galeria e cila organizon ekspozita të ndryshme, promovime librash, workshope dhe evente të tjera që lidhen me artin dhe kulturën
Më shumë vende për t’u vizituar
6. Xhamia Ebu Bekër (Xhamia e re e Fushë Çelës)
Është ndërtuar në vitet 1994 – 1995 në vendin e xhamisë së dikurshme të Fushë Çelës, e cila u shkatërrua gjatë regjimit komunist.
7. Kisha Katolike Françeskane
Kisha në të cilën u varros At Gjergj Fishta më 1940, eshtrat e të cilit u morën me dhunë nga regjimi komunist e sipas dëshmive u hodhën në lumin Drin.




Kalaja e Shkodrës (Rozafa)
Një prej kështjellave më të rëndësishme të Shqipërisë, jo vetëm për historinë që mbart, por edhe si një monument i rëndësishëm i promovimit të vlerave historike të një populli me histori të hershme. E rrethuar prej ujërave të lumenjve Bunë, Drin dhe Kir, kjo kala ofron një nga panoramat më të veçanta në Shqipëri.
Ajo që nisi si një udhëtim i zakonshëm, u kthye në një përvojë që na afroi më shumë me qytetin. Shkodra mbetet një eksperiencë unike që mbart histori, kujtime dhe pamje të paharrueshme. Çdo vend që viziton të mbush me emocione dhe të çon pas në kohë, duke të bërë të kuptosh pse dëshiron të rikthehesh përsëri. Një ditë në Shkodër të bën të ndihesh sikur koha ndalon, mes traditave që mbeten të pandryshuara, rrugëve plot biçikleta dhe ritmit të qetë që vetëm ky qytet di ta ruajë.