Nëse jeni një backpacker në kërkim të një aventure autentike, me çmime të përballueshme dhe pamje mahnitëse, Riviera Shqiptare është një nga zgjedhjet më të mira në Europë. Shtrihet nga Vlora në veri deri në Sarandë në jug, përgjatë brigjeve të detit Jon, ku gërshetohen fshatra tradicionale, plazhe të virgjëra dhe male që zbresin drejt detit. Kjo pjesë e Shqipërisë mbetet ende relativisht e pazbuluar nga turizmi masiv, duke ofruar mundësi të pafundme për të eksploruar, pa shpenzuar shumë.
Në këtë udhëzues praktik, do të gjeni gjithçka që ju duhet për të organizuar një udhëtim të paharrueshëm në rivierë, nga plazhet më të mira për kampim, ga mënyrat më ekonomike për të lëvizur, te hostelet ku mund të njihni udhëtarë nga e gjithë bota, e deri tek gatimet tradicionale që janë të shijshme dhe miqësore me buxhetin. Nëse dëshironi një eksperiencë ndryshe nga udhëtimet komerciale, më spontane, më të lidhur me natyrën dhe më të lirë, jeni në vendin e duhur.

Top destinacionet për backpackers
Riviera Shqiptare është e mbushur me fshatra bregdetarë, qytete të vogla, dhe plazhe të mrekullueshme që e bëjnë çdo ndalesë të veçantë. Por për backpackers ata që kërkojnë përvojë, autenticitet dhe përballueshmëri disa destinacione veçohen më shumë:
- Livadhi: Një plazh mahnitës pranë Himarës, i njohur për vijën e gjerë bregdetare, ujërat e kristalta dhe atmosferën e qetë. Ideal për dashamirësit e natyrës dhe udhëtarët me buxhet të ulët, Livadhi ofron hapësira për kamping, bujtina familjare të këndshme dhe një ambient të qetë larg zhurmës por mjaft afër për të shijuar energjinë verore të Himarës.
- Himarë: Zemra e rivierës për shumë backpackers. E balancuar midis autenticitetit dhe komoditetit, Himara ofron shumë akomodime buxhetore, plazhe të bukura dhe një atmosferë miqësore. Nga këtu mund të eksploroni Livadhin, Potamin, Llamanin dhe fshatin e vjetër në kodër, të gjitha në distanca të ecshme ose me makinë.
- Jalë: Një gji i vogël por shumë popullor mes të rinjve, falë kampingut Social dhe festave verore. Mund të flini me pak para, notoni në ujëra të kthjellëta gjatë ditës dhe vallëzoni nën yje gjatë natës. Plazhi i Akuariumit aty pranë ofron një alternativë më të qetë.
- Borsh: Plazhi më i gjatë në Shqipëri – rreth 7 km i paprekur nga turizmi masiv. Perfect për ata që kërkojnë qetësi, kampim mes ullinjve dhe ushqim të lirë buzë detit. Vizitoni edhe kalanë e vjetër për pamje mbresëlënëse.
- Qeparo: Fshat i ndarë mes detit dhe kodrës – poshtë gjeni plazh të qetë dhe bujtina familjare; lart, Qeparo i Vjetër ofron një udhëtim në kohë mes shtëpive guri dhe rrugicave të kalldrëmta. Ideale për të ndjerë ritmin e jetës lokale.
- Ksamil: Megjithëse është bërë shumë i frekuentuar, uji bruz dhe ishujt përreth janë spektakolarë. Ksamil ka nisur të bëhet më i shtrenjtë, por ende mund të gjeni dhoma private ekonomike, ose të eksploroni plazhet më të qeta afër si Plazhi i Pasqyrave dhe ai i Pulëbardhës.
👉 Për një pasqyrë më të detajuar të fshatrave përgjatë rivierës, shiko këtë artikull: Fshatrat më të bukur të Rivierës Shqiptare.




Transporti – Si të lëvizësh lirë dhe lehtë
Lëvizja përgjatë Rivierës Shqiptare është një aventurë më vete – dhe nëse je backpacker, ka disa mënyra të leverdishme për të kursyer para pa humbur asnjë pamje panoramike.
- Transporti publik (autobusë & furgonë): Ka një rrjet furgonësh dhe autobusësh që lidh qytetet kryesore si Vlora, Himara, Saranda dhe Ksamil. Janë të lirë dhe përdoren nga vendasit. Orarët shpesh nuk janë të publikuara online, ndaj është mirë të pyesni vendasit ose të përdorni aplikacionin GjirafaTravel për një pasqyrë të përafërt. Mos harroni: shumica e linjave operojnë vetëm me cash dhe mund të nisen pak më herët se orari nëse mbushen plot.
- Autostop (hitchhiking): Shqiptarët njihen për mikpritjen e tyre dhe autostopi është një mënyrë popullore për të lëvizur në rivierë. Nëse buzëqeshni dhe ngrini gishtin në rrugë, ka shumë gjasa që të merrni një udhëtim falas dhe ndoshta edhe një histori interesante rrugës.
- Makina me qira / scooter: Nëse keni buxhet pak më të lartë, marrja e një makine (ose më mirë një skuter) është mënyra më fleksibël për të eksploruar gjiret e fshehura dhe fshatrat më pak të vizituar. Çmimet për makina ekonomike nisin nga 15 € dita, ndërsa për scooter nga 10 €. Kini kujdes me parkimin në verë dhe vozitjen në kthesat malore.
- Trageti nga Korfuzi: Një mënyrë popullore për të ardhur në rivierë është trageti nga Korfuzi në Sarandë, kushton rreth 20-30 € dhe zgjat vetëm 30 minuta. E përshtatshme për ata që vijnë nga Greqia.



Gjumi i rehatshëm pa shpenzime të larta
Riviera Shqiptare ka mjaft opsione akomodimi për ata që udhëtojnë me buxhet, qoftë në qytete turistike, fshatra të qetë apo në natyrë të egër.
- Hostele për udhëtarë solo: Në qytetet më të zhvilluara bregdetare do të gjeni hostele me çmime të ulëta, dhoma të përbashkëta dhe ambiente sociale që nxisin lidhjen me udhëtarë të tjerë. Disa hostele ofrojnë mëngjes, aktivitete ose guida ditore – përvojë e plotë, jo vetëm një krevat.
- Bujtina lokale: Në fshatra të vegjël dhe zona më pak të njohura, shumë familje shqiptare ofrojnë dhoma me çmime të arsyeshme. Aty do të përjetoni mikpritjen tradicionale, me mëngjes të gatuar në shtëpi, produkte vendi dhe këshilla lokale që nuk i gjeni në Google.
- Kamping me buxhet minimal: Kampingu është zgjedhje fantastike për ata që udhëtojnë lehtë. Ju mund të zgjidhni kampingje të organizuara me kushte bazike, ose thjesht të vendosni çadrën në natyrë. Në Shqipëri kampingu i egër është i lejueshëm dhe shpesh gjen vende magjike ku të flesh nën yje, pa asnjë kosto.
👉 Për më shumë ide, shiko këtë listë me 5 kampingjet më të bukura në Shqipëri.
💡 Këshillë për rezervime: Në muajt e pikut (korrik-gusht), çmimet rriten dhe opsionet buxhetore mbushen shpejt, ndaj rezervoni më herët. Në sezon të ulët, mund të gjeni marrëveshje të mira edhe pa rezervim.



Plazhet më të bukura dhe më pak të njohura
Riviera Shqiptare ka disa nga plazhet më mbresëlënëse të Mesdheut, disa janë të famshëm dhe të mbushur gjatë verës, ndërsa të tjerët mbeten xhevahire të fshehura që presin të zbulohen.
Plazhe të njohura dhe të aksesueshme: Nëse doni plazhe me shërbime, restorante afër dhe atmosferë verore, mund të zgjidhni vende si Himara, Dhërmiu, Jalë apo Ksamil. Këto janë të lehta për t’u arritur me transport publik dhe kanë infrastrukturë të plotë, ideale për ata që duan rërë të bardhë, ujë të kristaltë dhe qasje të lehtë në çdo moment.
Plazhe të fshehura për aventurierët: Nëse doni diçka më të qetë dhe natyrale, eksploroni gjire të arritshme vetëm me këmbë ose me varkë, si Gjipeja, Akuariumi, Gjiri i Krorëzës apo Pasqyrat. Aty do të gjeni ujëra të pastër si kristali, natyrë të egër dhe pak njerëz përreth. Ideale për kamping ose thjesht për të kaluar ditën me qetësi të plotë.
Si t’i zbuloni këto vende?
Shumë prej këtyre plazheve nuk kanë tabela apo rrugë të mirëpërcaktuara. Merrni informacione nga vendasit, përdorni aplikacione si Maps.me ose Wikiloc për hiking, dhe mos kini frikë të pyesni udhëtarë të tjerë, komuniteti i backpackerëve shpesh ndan këshilla të vlefshme.



Aktivitetet – Çfarë të bëni përtej plazhit
- Hiking dhe ecje në natyrë: Shtegjet që lidhin fshatrat mbi bregdet ofrojnë pamje spektakolare dhe përvoja unike. Ecja nga një fshat në tjetrin, përmes ullishteve, rrënojave dhe pamjeve nga deti është një mënyrë ideale për të parë rivierën nga një tjetër këndvështrim.
- Snorkeling dhe sporte ujore: Ujërat e kthjellët janë perfektë për snorkeling, sidomos rreth shkëmbinjve dhe gjireve të fshehura. Në disa zona ofrohen edhe qira për kajak, paddleboard apo zhytje me guidë për më shumë eksplorim nën ujë.
- Kulturë dhe histori: Vizitoni kalatë historike, fshatrat e vjetër me shtëpi guri dhe parqe arkeologjike si Butrinti, një nga thesaret e UNESCO-s në Shqipëri. Kultura lokale është e gjallë dhe e lidhur ngushtë me jetën e përditshme, ndaj çdo ndalesë është mundësi për të mësuar diçka të re.
- Socializim dhe jetë nate: Në qytetet bregdetare do të gjeni ambiente të qeta për një birrë buzë detit, por edhe klube plazhi ku organizohen netë me muzikë live dhe DJ. Disa hostele organizojnë darka të përbashkëta ose evente të vogla që janë mënyrë perfekte për të njohur udhëtarë të tjerë. 👉 Nëse po udhëtoni vetëm, shiko edhe këshillat tona për udhëtim vetëm në Shqipëri.
Ushqim lokal për çdo buxhet
Një nga kënaqësitë më të mëdha të udhëtimit në rivierë është padyshim ushqimi, i freskët, i shijshëm dhe shumë më i lirë se në vendet fqinje. Për mëngjes apo një vakt të shpejtë, furrat e bukës dhe pastiçeritë ofrojnë byrekë të nxehtë, petulla dhe bukë të freskët me pak lekë. Në qytetet dhe fshatrat bregdetarë, tavernat lokale shërbejnë gjellë shtëpie, mish në zgarë, peshk të freskët dhe sallata të bollshme me çmime që i përshtaten çdo buxheti. Në vend që të shkoni në restorantet turistike, pyesni vendasit për vendet më autentike ku hanë ata vetë. Nëse keni akses në kuzhinë ose doni të kurseni, tregjet lokale janë plot me fruta, perime dhe produkte vendi që mund t’i ktheni në një piknik buzë detit. Dhe për ta mbyllur ditën, s’mund të mungojë një kafe turke në një verandë me pamje nga deti, ose një gotë raki shtëpie që t’ju japë shijen e vërtetë të mikpritjes shqiptare.



Këshilla praktike për të kursyer dhe udhëtuar zgjuar
- Zgjidh sezonin e duhur: Udhëtoni në maj-qershor ose shtator për çmime më të ulëta, mot të ngrohtë dhe më pak turma.
- Rezervoni më herët në kulmin e sezonit (korrik-gusht): Akomodimet buxhetore mbushen shpejt dhe çmimet rriten ndjeshëm.
- Mbani gjithmonë cash (lekë): Në shumë zona rurale nuk ka ATM ose nuk pranohet kartë.
- Përdorni furgonë ose autostop: Transporti lokal është i lirë, ndërsa autostopi është zakon i zakonshëm dhe shpesh një mënyrë e bukur për të takuar njerëz vendas.
- Merrni me vete shishe uji të ripërdorshme: Mund ta mbushni në hostele ose në burime të freskëta, kurseni para dhe ndihmoni mjedisin.
- Gatuani vetë kur mundeni: Shumë hostele kanë kuzhinë. Një vakt i gatuar vetë mund të kursejë ndjeshëm.
- Ndani shpenzimet me udhëtarë të tjerë: Nga makina me qira, dhoma private apo dhe ushqimet, gjithçka bëhet më lirë në grup.
- Shfrytëzoni aktivitetet falas: Plazhet, shëtitjet, perëndimet e diellit dhe socializimi janë përvoja që nuk kushtojnë por vlejnë shumë.
Siguria, interneti dhe nevojat bazë
Shqipëria në përgjithësi është një vend i sigurt për udhëtarët dhe kjo vlen edhe për rivierën. Turistët janë të mirëpritur dhe komunitetet lokale janë të vogla, miqësore dhe shpesh të gatshme për të ndihmuar. Vjedhjet janë të rralla, por si kudo tjetër, mos lini sende me vlerë pa mbikëqyrje në plazh apo në vende publike.
Përsa i përket shëndetit, moti gjatë verës është shumë i nxehtë, ndaj mbani ujë me vete, përdorni krem mbrojtës dhe mos ekspozoheni gjatë mesditës. Nëse bëni kamping në natyrë, merrni me vete solucion për mushkonja dhe kontrolloni terrenin për siguri. Në rast nevoje, në qytetet kryesore ka farmaci dhe qendra shëndetësore.
Interneti është i disponueshëm pothuajse kudo, shumica e akomodimeve dhe kafeneve kanë Wi-Fi falas, por për më shumë liri, merrni një kartë SIM vendase me internet (p.sh. 10–20 GB për rreth 10–15 €). Rrjeti celular funksionon mirë edhe në shumicën e zonave bregdetare.
Sa i përket pagesave, Shqipëria është ende një ekonomi që funksionon kryesisht me cash. Prandaj, sigurohuni të keni para fizike, veçanërisht në fshatra. ATM-të gjenden në qytete, por jo gjithmonë në gjendje pune në zonat rurale gjatë sezonit të ngarkuar.

Backpacking në Rivierën Shqiptare është një përvojë që mbetet gjatë në mendje, qoftë për natyrën e paprekur, mikpritjen e sinqertë apo aventurat spontane që ndodhin kur udhëton lirë. Ky udhëzues është menduar për të të ndihmuar të planifikosh më mirë, të kursesh dhe të përjetosh më shumë.
Nëse ky artikull ju ka ndihmuar, ndajeni me miqtë tuaj që po mendojnë të vizitojnë Shqipërinë, apo me komunitetin e udhëtarëve, në grupe Facebook, forume ose rrjete sociale. Një informacion i saktë dhe praktik mund të bëjë diferencën për dikë tjetër që po përgatitet të zbulojë një nga vendet më të bukura, e ende të pazbuluara, të Europës.